E Diel, 1 Nëntor 2026

Varroset Aleks Keka, familjarët akuza ndaj politikës

20/06/2009  Mijëra banorë të Shkodrës dhe Malësisë së Madhe në ceremoninë e varrimit

Mijëra banorë të Malësisë së Madhe, por dhe të Shkodrës, kanë përcjellë dje për në banesën e fundit kreun e PDK-së së Malësisë së Madhe, 34-vjeçarin Aleksandër Keka, i vrarë dje tragjikisht me eksploziv me telekomandë në distancë brenda në mjetin e tij.

Ceremonia mortore

Ceremonia u zhvillua në heshtje të plotë, fillimisht pranë banesës së të ndjerit në fshatin Pjetërshan dhe më pas në varrezat e këtij fshati, ku iu dha lamtumira e fundit nga familjarët, miqtë, dashamirësit, drejtuesi i PDK-së Nard Ndoka, i cili shoqërohej nga i gjithë stafi drejtues i partisë së tij. Dhimbja ishte e dukshme jo vetëm në sytë e familjarëve dhe miqve të të ndjerit, por të të gjithë të pranishëmve, që e kishin njohur nga afër Aleksin si një person tepër pozitiv. Heshtja ka vijuar të pllakosë gjithë fshatin Pjetërshan edhe pas përfundimit të ceremonisë mortore, heshtje ko që fliste më së miri se ishte vrarë një djalë për të cilin kishin respekt të gjithë, ishte vrarë një baba shembullor i tre fëmijëve, ishte vrarë një biznesmen jo vetëm i suksesshëm, por edhe bamirës, ishte vrarë një politikan që nuk diti kurrë të shante e të shpifte për rivalët apo kundërshtarët e partisë së tij. “Nuk dua ta besoj se djalin tim e vranë për politikë. Nuk dua ta besoj, por e di shumë mirë, unë dhe miqtë e tij, se Aleksi nuk kishte asnjë hasmëri, nuk kishte asnjë konflikt me askënd, përkundrazi, respektohet nga të gjithë. Ndaj nuk mund të mendoj ndryshe, por vetëm për vrasje politike. Është absurde që në vitin 2009 të vriten njerëz për politik뒒, - shprehet i ati i viktimës, Prekë Keka.

Policia

Nga ana tjetër, si familjarët, ashtu dhe të afërmit e Aleks Kekës kanë ndërprerë çdo komunikim me policinë e Shkodrës për shkak të deklaratave dhe akuzave të rënda që iu bënë viktimës nga Policia e Shtetit. Kjo mungesë komunikimi po bëhet në njëfarë mënyre pengesë në hetimin e çështjes, ndërkohë që blutë kanë shoqëruar dhe marrë në pyetje deri tani rreth 30 persona, të cilët mund të kenë informacion rreth lëvizjeve të Kekës apo kërcënimeve që mund të ketë marrë në telefon. Burimet policore shprehen se janë ngritur dy pista, njëra prej të cilave është politike dhe tjetra lidhet me hetimin e së kaluarës së viktimës Keka. Ndërkohë banorët e Pjetërshanit shprehen se, nëse vrasja nuk ka qenë politike, siç pretendon më kot policia, atëherë vrasësi do të gjendet shpejt, po nëse vrasja është politike, atëherë vrasësi nuk do të gjendet kurrë.

Atentati ndaj Aleksandër Kekës

Ngjarja ku mbeti i vdekur Aleks Keka ka ndodhur rreth orës 9:45 të mëngjesit të një dite më parë në aksin nacional Shkodër–Hani i Hotit. Blutë kanë konstatuar se një automjet tip fuoristradë ndodhej i shkrumbuar në anë të rrugës nacionale në fjalë, pikërisht në vendin e quajtur “Ura e Rrjollit” në fshatin Grizhë të rrethit të Malësisë së Madhe. Fillimisht blutë kanë mësuar nga dyshimtarët okularë që po kalonin në rrugë se fillimisht ishte dëgjuar një shpërthim i vogël, pas të cilit fuoristrada tip “Mitsubish-Pajero” ka dalë nga rruga, duke iu shkëputur disa pjesë dhe pas pak sekondash është dëgjuar një shpërthim tjetër tepër i fuqishëm, që jo vetëm ka shkatërruar dhe hedhur në ajër pjesët e automjetit, por trupin e drejtuesit të “Mitsubishit” ngjyrë jeshile. Automjeti është përfshirë nga flakët, të cilat e kanë djegur përfundimisht atë, ndërkohë trupi pa jetë i drejtuesit të mjetit dhe pjesët e tij kanë fluturuar nga mjeti për shkak të shpërthimit të fortë të lëndës plasëse. Strukturat hetimore të policisë kanë konstatuar se viktima ishte shtetasi Aleksandër Kekaj, kreu i partisë demokristiane të rrethit të Malësisë së Madhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›