Vazhdon dhuna në Tunizi

Me gjithë ndalim-qarkullimin gjatë natës në kryeqytetin tunizian, Tuniz, protestat sociale po vazhdojnë me të njëjtin intensitet. Dëshmitarë okularë treguan për trazira në disa lagje të varfra.
Disa stacioneve të policisë iu vu zjarri.
Sipas të dhënave të sindikalistëve, demonstruesit kërkuan largimin e presidentit autokratik, Zine el Abidine Ben Ali, i cili qeveris prej 23 vjetësh.
Edhe nga pjesë të tjera të vendit ka njoftime për trazira. Sipas dëshmitarëve okularë, policia vrau me armë zjarri katër persona në qytetin Douz në Sahara.
Ndërkaq Ben Ali shkarkoi ministrin e Brendshëm të vendit.
Për të mbrojtur ndërtesat e rëndësishme në Tuniz doli ushtria.
Bashkimi Evropian e dënoi përdorimin jo-proporcional të dhunës kundër demonstruesve paqësorë.