E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendime mbi konfliktet për pronën

30/05/2009  Shkodër, flet kryeregjistruesi Paulin Zadeja: Çfarë ofron kjo zyrë ndryshe nga vitet e shkuara

Përfundojnë në kohë rekord regjistrimet e dosjeve nga ALUIZNI si dhe të kërkesave të tjera

Kërkesat në rritje për përfitimin e shërbimeve nga zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër kanë rritur ndjeshëm punën e drejtuesve dhe punonjësve të kësaj zyre. Këto kërkesa kanë ardhur duke u shtuar ndjeshëm këto tre vitet e fundit dhe sidomos në pesë muajt e parë të këtij viti, ku ka pasur një fluks kërkesash sidomos për verifikim e regjistrim pronash nga institucionet dhe si rrjedhojë e fillimit të regjistrimit të pasurive të përfshira në procesin e legalizimeve. Pavarësisht mbingarkesës, ZRPP Shkodër ka përballuar me sukses kryerjen e të gjitha llojeve të shërbimeve që ofron. Suksesi i kësaj zyre tejet të rëndësishme për qytetarët dhe institucionet ka ardhur jo vetëm nga kushtet e mira të ambienteve, por sidomos në sajë të mirëorganizimit të punës nga drejtuesit e saj dhe angazhimit maksimal të punonjësve. Vetë qytetarët e kanë ndjerë përmirësimin e nivelit të shërbimeve të kësaj zyre, aq më tepër kur janë në dijeni të volumit të madh të punës që po kryen ZRPP Shkodër. Lidhur me punën e madhe që po bëhet në këtë zyrë, si dhe risitë është shprehur për gazetën “Metropol”, drejtuesi i ZRPP-së Shkodër, Paulin Zadeja.

-Cila është ngarkesa që ka përballuar ZRPP Shkodër?

Ngarkesa e zyrës sonë ka qenë mjaft e madhe pasi përgjithësisht kemi marrëdhënie dhe kërkesa jo vetëm nga qytetarët, por dhe nga të gjitha institucionet. Ngarkesat fillojnë nga AKKP, për të cilën japim me qindra informacione për gjendjen juridike të pasurive brenda një afati kohor prej 15 ditësh. Më tej është kryer dhe vijon të punohet një volum i madh pune për Drejtorinë e përgjithshme të Rrugëve, e cila kërkon informacion për efekte shpronësimi. Kjo ka ardhur pasi dihet tashmë se Shkodra është përfshirë në një proces voluminoz të ndërtimit të rrugëve. Një volum të madh pune ka përbërë dhe dhënia e informacionit për pasuritë ku do të ndërtohet hidrocentrali i Ashtës. Në këtë pikë janë dhënë informacion mbi 500 pasuri nga gjendja juridike. Regjistrimi i pronave të Bashkisë Shkodër ka qenë një tjetër punë voluminoze, pasi janë 1000 (një mijë ) prona të këtij institucioni, duke filluar që nga zona e Zogajve në kufi me Malin e Zi e deri në rrugën e Koplikut, një shtrirje mjaft e gjerë kjo e pronave të Bashkisë. Volumi shtohet nga të gjitha rrugët, shkollat kopshtet dhe institucionet e tjera që kanë kaluar në pronësi të Bashkisë. Të gjitha këto pasuri janë në fazë verifikimi dhe më pas do të bëhet dhe regjistrimi i tyre, sipas aplikimit. Duke iu referuar shifrave, vetëm gjatë dy muajve të fundit janë kryer rreth 2300 shërbime, prej të cilave kanë përfunduar rreth 1000. Këtu futen certifikatat e pronësisë, kontratat e hipotekimit në banka etj. Pjesa tjetër është në proces verifikimi, ndërkohë që një pjesë ka marrë përgjigje negative. Ndërkohë tashmë ZRPP Shkodër është duke u marrë dhe me verifikimin e dokumentacioneve, kërkesave të aplikuesve dhe dhënien e certifikatave të pronësisë për dosjet që kanë ardhur nga ALUIZNI.

Sa dosje kanë ardhur në ZRPP Shkodër nga ALUIZNI dhe sa certifikata pronësie janë dhënë deri tani?

Nga ALUIZNI kanë ardhur në zyrën tonë 90 dosje në një rreth kohor prej një muaji. Prej këtyre 27 qytetarë kanë aplikuar për certifikatë pronësie, 18 prej tyre kanë marrë dokumentet e pronësisë brenda fateve 15 ditore ligjore, madje në disa raste dhe më shpejt, deri në një javë nga dita e aplikimit. Pjesa tjetër është paraqitur për marrjen e informacioneve të nevojshme. Vlen të theksohet se për qytetarët, të cilëve u kanë ardhur dosjet nga zyra e ALUIZNI-t nuk ka asnjë penalitet. Mjafton që ata të paraqiten për të aplikuar. Nga ana e zyrës sonë jemi të gatshëm për të kryer të gjitha veprimet e duhura ligjore.

Flitet se vite më parë ka pasur dhe mbivendosje pronash. Sa verifikohen ato nga ZRPP Shkodër?

ZRPP Shkodër ka një sektor të veçantë ku verifikon veprimet e kryera në kundërshtim me ligjin ose që kanë krijuar mbivendosje ndër vite. Për mënjanimin e këtyre problemeve është punuar me seriozitet të plotë. Gjatë vitit 2008 ka pasur 40 kërkesa për mbivendosje dhe paligjshmëri regjistrimi. Nga këto ka dalë vendim për 35 raste, ndër të cilat 4 mbivendosje, 16 paligjshmëri regjistrimi, 15 refuzim kërkesash. Ndërkohë gjatë muajve të parë të vitit 2009 janë bërë 15 kërkesa, prej të cilave janë nxjerrë 6 vendime, 2 për mbivendosje 3 për paligjshmëri regjistrimi dhe një është refuzuar.

Bisedoi: Virtyt Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›