E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, rihapen magazinat doganore

Produktet e importuara do të mund të qëndrojnë nëpër magazinat doganore dhe më pas të tërhiqen nga kompanitë, duke paguar zhdoganimin vetëm në çastin e marrjes së produktit. Kjo është masa e fundit e miratuar nga Këshilli i Ministrave, që i vjen në ndihmë kompanive vendase.

Qeveria shqiptare ka vendosur t’i bëjë parapritë krizës ekonomike e financiare, e cila ka nisur të prekë gjithë globin, duke hapur sërish magazinat doganore. Kjo, padyshim mbetet një mënyrë efikase, e cila i vjen më së shumti në ndihmë bizneseve, por kryesisht atyre të mëdha. Duket se kriza ekonomike botërore dhe masat paraprake kanë detyruar ekspertët e ekonomisë në qeveri të sugjerojnë rihapjen e magazinave doganore, për të gjitha llojet e mallrave të importit. Në Durrës, ato mund të ngrihen jo vetëm brenda territorit të portit, por edhe jashtë tij. Drejtori i Doganës së Durrësit, Arben Ibroja, deklaroi për “standard” se “pas një modifikimi të ligjit për funksionimin e magazinave doganore, qeveria ka vendosur të lejojë rihapjen e tyre pas një pauze trevjeçare, padyshim ky hap mbetet një ndihmë ndaj biznesit”. Në vitin 2005, me përjashtim të magazinave doganore të karburanteve, pothuajse të gjitha të tjerat e mbyllën dhe pronarët e tyre nuk u licencuan nga ana e ministrive përkatëse. Madje, doganat organizuan fushatë për të grumbulluar paratë e subjekteve, të cilat kishin deklaruar mallrat e tyre, por që kishin kërkuar afate për shlyerjen e detyrimeve ndaj saj për mungesë të likuiditeteve. Sipas të dhënave statistikore të marra në vitin 2005, rezultonte se nëpërmjet magazinave doganore ushtrohej kontrabandë apo kryhej evazion fiskal, për shkak se subjektet që dispononin magazina doganore nuk deklaronin të gjithë sasitë e mallrave të magazinuara. Të tilla kanë qenë magazinat e duhan-cigareve, ato të produkteve ushqimore, të materialeve të ndërtimit etj.

Prej disa ditësh, subjektet e mëdha të biznesit janë njoftuar për vendimin më të fundit të qeverisë, i cili ka të bëjë me liberalizimin e licencimit të magazinave doganore. Bizneset janë njoftuar se nuk do të ketë kurrfarë kufizimi për llojshmërinë e mallrave, që do të mund të magazinohen, mjafton që të plotësohen kriteret e vëna për sigurimin e licencës. Me marrjen e këtij vendimi, qeveria pretendon se e ka gjetur mekanizmin e duhur për të evituar kontrabandën dhe evazionin fiskal, pasi për të siguruar licencën, çdo subjekt i interesuar është i detyruar që të depozitojë një garanci bankare të barabartë me shumën e taksës doganore. Ibroja tha se “pas këtij njoftimi ka pasur interes nga ana e subjekteve të fuqishme, të cilat operojnë me portin detar për t’u licencuar në këtë fushë, si kompania “Kurum”, e cila prej vitesh është pronare e kantierit detar, ajo është në proces licencimi edhe për të pasur në pronësi dy magazina doganore brenda territorit të portit”. Po kështu, interes ka magazina frigoriferike, për magazina cigaresh e për lloje të tjera mallrash, të cilat kërkojnë kohë për t’u hedhur në treg. Drejtori i Doganës sqaroi se “leverdia për të pasur magazina doganore është e madhe, pasi i krijon frymëmarrje bizneseve, të cilat nuk janë të detyruara të paguajnë menjëherë në doganë detyrimet e tyre, por u jep kohë atyre që të shesin e të krijojnë kapitalet e nevojshme”. Regjimi i magazinave doganore ekonomikisht e ndihmon shumë biznesin, pasi mallrat që hyjnë brenda tyre janë të pezulluara përkohësisht nga pagesa e detyrimeve doganore dhe këto detyrime shlyhen në momentin që mallrat hidhen në treg. Biznesi duke përdorur magazinat doganore nuk i mban të bllokuara mjetet e tij financiare deri në shitjen e mallit, por i përdor ato për shlyerjen e detyrimeve doganore vetëm në momentin e shitjes së tij. Porti është vënë në ndihmë të doganës, duke vënë në shërbim të magazinave doganore objektet e tij. Duket se ky liberalizim në sektorin e magazinave doganore vjen në një moment të vështirë që kalon biznesi, që lidhet jo vetëm me krizën financiare botërore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›