E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vështrime “femërore” në vizione bashkëkohore

01/09/2010 Jeta e Mariekës transformohet në një akt dhune. Ajo vendos t’ia mbathë nga qyteti i saj i lindjes dhe blen një kasolle të rrënuar dhe të izoluar në një fshat të Zilandit. Me një fillim të ri, ajo shpreson të jetë në gjendje të shkëputet nga përvoja e dhunshme, por të ftohtët dhe vetmia vetëm sa i rrisin ndjenjat e frikës dhe hakmarrjes. Me ardhjen e verës dhe një dashurie të re, Marieka duket sikur rifiton fuqitë. Por dalëngadalë, asaj i del jeta nga duart. Është pak a shumë ky “filli” i filmit të Esther Rots, “Mund të depërtojë në lëkurë” (Can go through skin), një prodhim holandez i 2009-ës.

Interpretojnë: Rifka Lodeizen, Wim Opbrouck, Chris Borowski, Elisabeth van Nimwegen, Tina de Bruin, Mattijn Hartemink.

Esther Rots ka lindur në Groenlo (Holandë) në vitin 1972. Ajo jeton në Amsterdam. Ka studiuar në Akademinë e Arteve Vizive në Arnhem, pastaj në Akademinë Holandeze të Filmit në Amsterdam dhe ka bërë tre filma të shkurtër, të cilët janë shfaqur në festivale të njohura, duke fituar shumë çmime. “Luaj me mua” (Speel met me) i vitit 2002 dhe “Unë çel” (Ik ontspruit) i vitit 2003, janë përzgjedhur për konkurrim në Festivalin e Filmit në Kanë, kurse filmi “Dialog, ushtrim nr. 1:Qyteti” i vitit 2005, ka fituar me të tjerash, edhe çmimin Gouden Kalf si filmi më i mirë i shkurtër dhe çmimin NPS Prijs voor de Korte Film. Me skenar, regji, montazh dhe produksion të vetë Rots, filmi “Mund të depërtojë në lëkurë” (Can go through skin) është debutimi i saj në filmin me metrazh të gjatë.

Séverine Cornamusaz ishte një tjetër regjisore e shfaqur në seksionin “Vizione bashkëkohore” mbrëmjen e djeshme. “Zemër kafshe” (Animal heart/ Coeur anomal), një prodhim francezo-zviceran ka rrëfyer përgjatë 91 minutave historinë e Polit dhe Rozinës, të cilët jetojnë të izoluar në thellësi të alpeve të thepisura e të mahnitshme zvicerane, ku kanë një fermë lopësh. Rutina e përditshme e kësaj ndërmarrjeje të vogël fshatare, ndonëse disi të modernizuar, është e rëndë dhe e egër. Jetën nuk e bën më të lehtë as fakti që Poli është një kafshë e regjur emocionalisht. Megjithëse lopët i trajton gjithë përkëdheli si t’i kishte kafshë shtëpiake, Rozinën e tall pa mëshirë, si fizikisht ashtu edhe verbalisht. Ajo gjen disa momente kënaqësie kur mbetet vetëm për të mjelë lopët apo teksa dëgjon radion, ndërkohë që bën djathë dhie—duke ëndërruar, por më shumë duke u ndërprerë nga orekset e pagdhendura të Polit. Tek-tuk del në pah ndonjë gjurmë historie që tregon se ç’shihnin dikur këta të dy tek njëri-tjetri dhe se megjithëse Rozina ia ka frikën Polit, lidhja e tyre është e thellë, melankolike dhe e përmbajtur. Ana e butë e Polit del më në fund në dukje kur ai e merr dhimbjen e barkut të Rozinës si shenjë se ajo ishte shtatzënë me djalin e tij. Ai merr menjëherë në punë një argat spanjoll që ta zëvendësonte Rozinën në punët e fermës. Bukuria shkatarraqe dhe shpërfillja e këtij njeriu e ndryshojnë jetën e çiftit në mënyra të paparashikuar, duke e shtyrë Rozinën në një akt sfidues, kurse Polin në përballje me zemrën e tij të ashpër. E veçanta e fuqishme e Séverine Cornamusaz është syri i saj i mprehtë dhe vështrimi falës ndaj kësaj martese të Botës së Vjetër që nuk funksionon, por që vazhdon edhe në shekullin XXI.

Cornamusaz ka lindur në Lozanë (Zvicër) në vitin 1975. Ajo është diplomuar në Shkollën e Fotografisë “Vevej” dhe në Akademinë e Filmit në Nju Jork. Është regjisore e pesë filmave të shkurtër dhe ka punuar si redaktore filmi që prej vitit 1996. "Zemër Kafshe" është filmi i saj i parë me metrazh të gjatë. Ajo fitoi Çmimin e Shoqatës Zvicerane të Autorëve për skenarin e filmit “Cianid”. Në “Zemër kafshe” interpretojnë: Olivier Rabourdin, Camille Japy, Antonio Buil, Alexandra Karamisaris.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›