Vetëvritet me granatë 16-vjeçari
Ka dalë për peshkim me të vëllain, por ka humbur jetën nga një granatë që e ka konsideruar si lodër. Kështu e ka pësuar një 16- vjeçar me inicialet O.I., nga fshati Shtëpanjë i Komunës së Gostimës, rreth 37 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Ai kishte gjetur një granatë në bregun e lumit Devoll, pranë fshatit të tij, kur kishte dalë për të peshkuar me të vëllain, B.I., dy vjet më të vogël. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, granatën e gjetur në afërsi të rrjedhës së lumit Devoll, 16-vjeçari e ka marrë me vete në shtëpi dhe në mbrëmje ka dalë në oborr për t’ua treguar shokëve. Por “lodra” i ka shpërthyer në duar duke i shkaktuar plagë të rënda. Familjarët e kanë transportuar me shpejtësi drejt spitalit të Elbasanit, por me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të mjekëve, i mituri ka ndërruar jetë rreth orës 22.30. Nga hetimet e para të policisë është konkluduar se ngjarja ishte aksidentale, ndërsa granata defensive duhet të jetë hedhur në brigjet e lumit shumë vite më parë.
#