E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, bllokohet ndërtimi tek “Uji i ftohtë”

07/04/2010 Banorët shembin portën dhe gardhin rrethues

VLORE- Zona e “Ujit të ftohtë” vijon të jetë problematike dhe të ketë përplasje mes banorëve dhe punëtorëve të firmave të ndërtimit në këtë zonë. Sot me dhjetëra banorë, burra e gra, kanë shkuar në tokën prej 45 mijë m2 të rrethuar, kanë hyrë aty me forcë duke kërkuar të drejtën e tyre të përfituar në bazë të ligjit 7501. Pas kësaj ata kanë ndërhyrë në prishjen me forcë dhe hapjen e portës, me të cilën është rrethuar sipërfaqja në fjalë. Në fjalën e tyre përpara kamerave banorët kanë bërë të ditur se për këtë çështje është sensibilizuar dhe vetë Kryeministri, dhe tanimë punimet për ndërtimin e kompleksit me pallate deri në 4-5 kate janë ndërprerë. Më tej ata janë shpërndarë paqësisht, ndërsa kanë njoftuar se nesër janë pjesë e një procesi gjyqësor lidhur me problemin e pronësisë së kësaj toke. Ata kanë paralajmëruar për protesta të mëtejshme, ku kanë kërcënuar se do të bllokojnë tërësisht aksin rrugor nacional, sikundër ndodhi rreth tre javë më parë. Aktualisht në zonën pranë vilave qeveritare, në “Ujë të ftohtë” në Vlorë është dhënë një leje ndërtimi, e cila ka shkaktuar konflikt palësh. Nga njëra anë janë pronarët që e kanë përfituar këtë tokë me 7501 dhe nga ana tjetër janë personat që kanë përfituar lejen e ndërtimit.

Realisht toka në fjalë figuron të jetë në procese gjyqësore mes palësh, ndërkohë që ndërtuesit kanë kufizuar hapësirën prej rreth 45 mijë m2 tokë në total, e ndarë në parcela mes ish-punëtorëve të NB Frutore Vlorë, vendosja e llamarinave dhe e një porte hekuri në hyrje të pronës, duke penguar kështu pronarët që e kanë me 7501 tokën, e që ende janë në proces gjyqësor të hyjnë në pronë është bërë gjatë fundjavës së kaluar, duke përfituar nga mungesa e vëmendjes së institucioneve përkatëse. Ligji 7501 ka sjell problem në gjithë zonën e bregdetit, ku punonjës të ish NB-ve, nga Vlora në Orikum e më gjerë kanë përfituar prona, dhe nga ana tjetër qëndrojnë pronarët që i kanë këto me certifikata të vjetra apo i kanë përfituar me forma të ndryshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›