E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, sherri në disko, prangosen 4 persona për "moskallëzim krimi"

>Tre persona janë plagosur pas një sherri që ka zënë fill në një nga disko të qytetit. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, ndërsa dje janë vënë në pranga katër persona nën akuzën e moskallëzimit të krimit, ndërkohë që autori i krimit është ende i lirë. Siç bëjnë me dije burimet zyrtare të policisë, të arrestuar janë Arben Xhaferraj 25- vjeç nga Vlora, Ervin Memi, 25- vjec nga Borshi, Klodian Hadëraj 26- vjec nga fshati Kotë dhe Ermal Mehmeti 23- vjeç nga Vlora. Po sipas policisë, Ervin Memi dhe Klodian Hadëraj janë përfshirë në një debat me Ermal Mehmetin dhe Arbër Xhaferrajn si dhe një adoleshent tjetër me inicialet E.P. Debati nuk është ndalur te sherri në disko, pasi ata kanë dalë jashtë ambienteve të saj dhe në grindje e sipër, adoleshenti ka qëlluar me pistoletë në drejtim të personave të përfshirë në sherr. Plumbi ka kapur dy prej tyre, duke lënë të plagosur një 29- vjeçar me inicialet K.I dhe një 26-  vjeçar me inicialet E.B si dhe një vajzë 25-vjeçe me inicialet L.H. Asnjëri prej të plagosurve nuk ka lidhje me ngjarjen por kanë qenë rastësisht në vendngjarje duke dalë nga ambientet e diskos dhe fatmirësisht nuk kanë pasur pasoja për jetën. Menjëherë pas kësaj, autori i plagosjes ka lënë vendngjarjen, duke u larguar dhe aktualisht është i shpallur në kërkim. Mbi të rëndon akuza e vrasjes në rrethana cilësuese, mbetur ne tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Policia ka vënë në pranga të katër shtetasit që u përfshinë në sherr, për moskallëzim krimi. Ndërsa në cilësinë e provës materiale morën armën që gjetën në vendin e ngjarjes, një pistoletë TT.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›