E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaka, gati për hapin e radhës

Granit Xhaka ndihet i gatshëm për ta bërë hapin e radhës në karrierë. Mesfushori kosovar po kalon momente të mira me Baselin, me të cilin u shpall kampion vjet dhe po shkon në rrugë të mirë për ta bërë të njëjtën gjë edhe sivjet. Ai po ashtu u bë lojtar i rëndësishëm i përfaqësueses së Zvicrës, prandaj 19-vjeçari ndihet gati për të kaluar në një klub të madh evropian. Dhe, ofertat për të nuk mungojnë.

“Unë në realitet jam i gatshëm. Kam bërë ndeshje të mjaftueshme ndërkombëtare me Baselin, por edhe me Kombëtaren. Por, për momentin ka mundësi që të luaj edhe sezonin e ardhshëm në nivele ndërkombëtare”, theksoi futbollisti prishtinas për magazinën zvicerane, Blick.

I pyetur rreth mundësisë që gjatë verës t’i bashkohet Hamburgut, ai është përgjigjur me një buzëqeshje: “Mbetet të shihet”, tha Xhaka, i cili kërkohet me ngulm edhe nga Borussia Monchengladbach.

Xhaka e ka treguar edhe një fakt interesant. Ai thekson se paratë të cilat i merr nga futbolli, ia dhuron babait të tij, i cili më pas i menaxhon për familjen. “Te ne në Kosovë është një rregull, që më i riu i familjes është gjithmonë i prindërve. Paratë e mia u shkojnë direkt prindërve, e më pas ata m’i japin ato që më nevojiten. Gjithmonë ka qenë kështu. Dhe, mendoj se e njëjta gjë do të vazhdojë edhe kur unë të shkoj për të luajtur jashtë”, vazhdoi Xhaka.

Futbollisti kosovar e ka kujtuar edhe periudhën kur e fitoi titullin e kampionit të botës me Zvicrën U-17, në vitin 2009. Mesfushori defanziv thotë se do ta kujtojë gjithmonë këtë arritje, e cila ishte shumë domethënëse për fillim e një karriere të bujshme të tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›