Zbulohet qeliza që zhduk kancerin

Një grup qelizash të ndryshuara gjenetikisht që luftojnë leuceminë, shkencëtarët i kanë pagëzuar si “Serial Killer”.
Studiuesit në Universitetin e Pensilvanisë thonë se kanë trajtuar me sukses leuceminë, duke injektuar pacientët me qelizat e një gjeni të ndryshuar, i cili vë në shënjestër dhe shkatërron qelizat kanceroze. Ekspertët mjekësorë e quajnë këtë një përparim të madh.
Shkencëtarët në qendrën Abromson për kërkime në fushën e kancerit, pranë Universitetit të Pensilvanisë, kanë punuar 20 vitet e fundit për përsosjen e një teknike që merr qeliza të veçanta të gjakut te pacientët që vuajnë nga leucemia kronike dhe i kthen ato në kancer-vrasës.
Ata morën të ashtuquajturat "qelizat T" nga gjaku i pacientit, i modifikuan gjenetikisht ato dhe i injektuan përsëri tek pacienti.
Qelizat e ndryshuara ishin aq efektive në ndjekjen dhe shkatërrimin e qelizave të kancerit, saqë studiuesit u dhanë nofkën "vrasësit serikë”. Dr. Karl Xhun, autor kryesor i studimit, thotë se ky eksperiment i guximshëm ka dhënë rezultate dramatike.
Shoqata Amerikane e Kancerit e quan studimin "emocionues", por edhe paralajmëron se më shumë kërkime të tjera janë të nevojshme për të konfirmuar dobinë e terapisë gjenetike me qeliza.