Zjarret në Shqipëri, kërkohet ndihmë nga fqinjët për shuarjen nga ajri
Tiranë- Ministria e Mjedisit ka kërkuar ndihmën e Malit të Zi dhe Greqisë për të shuar flakët që prej ditësh kanë zaptuar zona të ndryshme të vendit, harta e të cilave po zgjerohet nga ora në orë.
Specialisti i pyjeve në Ministrinë e Mjedisit, Genci Hoxhaj tha se Shqipëria është e rrezikuar ekstremisht nga zjarret.
“Zonat problematike janë veriu dhe juglindja e vendit. Zjarre ka në Dibër, Kukës, Tropojë, Sarandë, Korçë, Pogradec, Delvinë, Gjirokatsër”,-tha Hoxhaj i cili shtoi se ndihmë i është kërkuar edhe qendrës MiC në Bruksel.
Sakaq flakët që po përparojnë me intensitet të lartë Qafën e Kazanit, po kërcënojnë seriozisht Parkun Kombëtar të Dardhës. Dy vatra të mëdha zjarri vijojnë të jenë aktive nga pasditja e djeshme në malin e Kuq dhe malin e Kozelit, në zonën e Korcës. Sipas burimeve zyrtare në malin e Kozelit situata është alarmante dhe jashtë kontrollit, ndërkohë që deri tani janë djegur së paku 100 ha pisha.
Ndërkaq punonjësit e shërbimit pyjor si dhe ata të komunës Mollaj, janë duke u përpjekur për izolimin e vatrave të zjarrit, ndërkohë që ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse është bërë e pamundur për shkak të terrenit të vështirë.
Temperaturat e larta që kanë pushtuar Shqipërinë kanë shkaktuar dhe një sërë emergjencash zjarri në disa qytete të vendit. Situata ka qenë alarmante që pasditen e djeshme, pasi për shkak të terrenit të thyer ka qenë e pamundur ndërhyrja e makinave zjarrëfikëse dhe shuarja e flakëve po bëhet me mjete rrethanore.
Nga shërbimi zjarrëfikës mësohet se është bërë një kërkesë për ndërhyrje nga ajri, por deri tani ende nuk ka një helikopter që të përdoret për shuarjen e flakëve. Banorë të zonës dhe zjarrëfikës po ndërtojnë pirgje dheu për të parandaluar zjarrin, ndërsa situata shihet alarmante pasi në rrezik janë edhe banesat e fshatit Kozel. Ndërkohë mësohet se janë evakuar banorët e fshatrave Pepellash dhe Nikolicë, pasi aty janë dëgjuar shpërthime fishekësh që dyshohet se mund të kenë mbetur nga lufta italo- greke.
Një situatë alarmante shihet edhe në kurorën e Lurës, pasi prej një jave flakët vijojnë të djegin dhjetra hektarë pyje dhe asnjë masë nuk është marrë nga autoritetet. Vetë banorët shprehen të shqetësuar sepse rrezikohen disa fshatra të zonës së Lurës dhe Mirditës
Mësohet se të tre persona në Tepelenë, tashmë të arrestuar, i kishin vënë zjarrin një kullote të marrë me qira me qëllim rigjenerimin e saj. Por flakët kanë dalë nga kontrolli dhe për pasojë janë djegur rreth 10 hektarë bar dhe shkurre si dhe një parcelë me ullinj dhe drurë frutorë. Policia njofton se nga flakët është rrezikuar edhe një lagje në fshatin Dukaj, por menjëherë kanë ndërhyrë zjarrfikësit dhe banorët duke moslejuar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Gjithashtu flakët kanë dëmtuar edhe linjën elektrike të fshatit Dukaj, por pas ndërhyrjes së elektriçistëve të CEZ- it, energjia është rikthyer. Një tjetër vatër zjarri është shfaqur edhe në pyjet përreth fshatit Llongo të Komunës Dropulli i Sipërm në Gjirokastër e cila është shkaktuar në mënyrë aksidentale nga një cigare e ndezur e hedhur nga një person që po mbildhte bimë medicinale.
Erërat që kanë përfshirë mbrëmë këtë zonë kanë ndihmuar në përhapjen e flakëve, duke rrezikuar edhe disa banesa. Po për shkak të një cigreje të ndezur është shkaktuar edhe një vatër zjarri në fshatin Pepel të së njëjtës komunë. Një i moshuar me inicialet S.P rreth 79- vjeç i cili ishte duke kërkuar bagëtinë ka lëshuar cigaren në toke, dhe për pasojë është ndezur bari dhe shkurret. Ai ka lajmëruar menjëherë policinë dhe më pas kanë ndërhyrë forcat zjarrëfikëse të cilat po bëjnë shuarjen e tij.
/IDEA/