E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarri shkriu kartën e telefonit, nuk lokalizohet thirrja-bombë

14/09/2011  Vrasja e gjyqtarit. Zbardhen tabulatet, asnjë telefonatë apo mesazh kërcënues

TIRANE-Tabulatet telefonike të marra nga dy kompani celulare, nuk kanë dhënë asnjë ndihmesë për të zbardhur ngjarjen e rëndë të vrasjes së gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi. Nga verifikimi i tyre grupi hetimor s’ka gjetur asnjë numër të dyshimtë apo mesazh që mund të ngjallte kërcënim për jetën e gjyqtarit 33-vjeçar të vrarë në qendër të Vlorës nga një shpërthim i fuqishëm tritoli. Aktualisht për llogari të hetimit nuk është administruar asnjë provë që do implikonte drejtpërdrejt autorin e krimit. Hetuesit shprehen se çështja është ndërlikuar akoma dhe më tepër për shkak se dhe brenda automjetit nuk janë gjendur pjesë të telefonit apo kartës, që ka bërë aktivizimin e rreth 500 gr tritol të vendosur poshtë sediljes, ku qëndronte i ulur gjyqtari Skerdilajd Konomi. Sipas tyre, mosgjetja e kartës e bën të pamundur lokalizimin nëpërmjet antenave të vendndodhjes nga ku është bërë thirrja telefonike, si dhe gjetja e numrit që ka bërë telefonatën e fundit në drejtim të celularit bombë. “Ky është çelësi i çështjes”,- shprehet burimet pranë grupit hetimor, të cilët kujtojnë rastin e vrasjes së anëtarit të Bandës së Lushnjës, Enver Rabija, me minë me telekomandë. Pikërisht në këtë ngjarje është gjetur si provë karta e telefonit dhe nga verifikimet e bëra rezultoi se thirrja e fundit ishte bërë nga shtetasi Leonard Prifti ose “Çibuku”, tashmë i vrarë, ish-anëtar i bandës së drejtuar nga Aldo Bare. Në rastin e vrasjes së gjyqtarit, shpërthimi dhe zjarri ka zhdukur gjithçka dhe për pasojë e bën të pamundur gjetjen e autorit nëpërmjet këtyre metodave. Duke mos pasur asnjë shpresë në këtë drejtim, grupi i hetimit që drejtohet nga tre prokurorë të krimeve të rënda, tashmë vëmendjen më të madhe e ka përqendruar në konfliktet me pronat që kishte familja e gjyqtarit të vrarë Skerdilajd Konomi. Janë tërhequr nga sekretaritë e gjykatave të gjitha vendimet gjyqësore, si dhe po verifikohet me imtësi historike i truallit në Hamallaj dhe në fshatin Rrushbull në Durrës. Përparësi po i kushtohet dhe personave, me të cilët gjyqtari ka pasur konflikte rreth pronave të sipërcituar.

Autopsia: Zemra e koka s’u dëmtuan

Pati shembje legeni dhe

këputje të njërës këmbë

Prokuroria ka administruar në dosje dhe aktin e ekspertimit mjeko-ligjor, i cili pasi ka këqyrur kufomën e gjyqtarit të vrarë, ka nënvizuar se nga shpërthimi i fuqishëm viktima ka pasur dëmtime të rënda në pjesët e poshtme të trupit. Sipas ekspertimit mjeko-ligjor, Skerdilajd Konomi ka pasur shembjen e plotë të legenit dhe se njëra prej këmbëve nga shpërthimi i fuqishëm i është këputur, por jo plotësisht. Më tej raporti shton se viktima ka qëndruar disa minuta i gjallë për shkak se nuk ka marrë dëmtime në pjesët organike të trupit. Mjekët tregojnë se zemra dhe truri, i gjyqtarit Konomi nuk ka marrë asnjë plagë nga shpërthimi që i mori jetën në qendër të qytetit të Vlorës, gjyqtarit Konomi.

Pritet “tërmet” në AKKP, Durrës e Tiranë

Prokuroria: Ka dyshime për

pronat, por s’ka asnjë provë

Mjaft dyshime të forta grupi i hetimit ka ngritur mbi disa persona që kanë pasur konflikte ligjore për pronat me familjen e gjyqtarit të vrarë. Burimet shprehen se për disa prej tyre dyshimet janë të shumta, por ato nuk plotësohen me asnjë provë. “S’ka asnjë provë minimale që do të implikonte sado pak këta persona”,-shprehen hetuesit. Momentalisht punë intensive është duke u bërë në këtë drejtim, ku në skaner janë duke kaluar një sërë dokumentesh dhe se shumë shpejt Prokuroria, pritet të marrë në pyetje dhjetëra persona nga, AKKP në Tiranë dhe Durrës, si dhe individët me të cilët Konomi ka pasur kontradikta për truallin 340 hektarë në zonën e Hamallajt.

Dërgohen në institutin e Policisë Shkencore

Telefoni dhe një dosje që u

gjet merren për ekspertizë

Telefoni celular i Skerdilajd Konomit, si dhe një dosje pune që u gjendën në vendin e krimit, janë dërguar në institutin e Policisë Shkencore për ekspertim. Burimet sqaruan se kjo procedurë ndiqet për çdo dosje hetimore, veprim ky që në këtë rast nuk është shumë i domosdoshëm për zbardhjen e ngjarjes. Sipas hetuesve dosja, e gjetur në makinën e viktimës, është dosje pune dhe jo personale. Ndërkohë që telefoni do i nënshtrohet edhe ai një ekspertimi mbi gjendjen dhe përmbajtjen e tij. Thuajse të gjitha ngjarjet e kësaj natyre janë të pazbardhura nga policia dhe Prokuroria, për shkak se dhe mënyra e ekzekutimit dhe autorët janë tepër të sofistikuar.

Përllogaritja e ekspertëve

Bëhet fjalë për prona që

vlejnë 200 milionë euro

Sipërfaqja tokësore prej 340 hektarë që ndodhet në gjirin e Lalëzit e fituar nga familja e gjyqtarit të vrarë Skerdilajd Konomi, mund të vlerësohet me një shifër ekonomike prej 200 milionë euro. Sipas ekspertëve, kjo shifër astronomike del për faktin, se trualli ndodhet përgjatë plazhit të detit Adriatik, territor ky që çdo vit po lakmohet nga dhjetëra biznesmenë për të ndërtuar vila turistike, resorte dhe fshatra turistikë. Momentalisht në zonën në fjalë janë bërë vetëm pak ndërtime dhe se e gjithë sipërfaqja është e nderë, çka tregon se pas vendimit të Gjykatës së Lartë, shumë shpejt ajo do të shitej.

Vendimi i Gjykatës së Lartë që i jep të drejtë asaj të Durrësit: Konomi, pronar i ligjshëm

Konflikti i pronave, çelësi i zbardhjes së vrasjes së gjyqtarit

Paditë penale të të dyja palëve ndaj AKKP-së, konfliktet e vazhdueshme

TIRANE- Tensioni mes familjarëve të fisit Konomi dhe përfaqësuesve të palës tjetër që pretendonte trashëgiminë mbi pronën 340 hektarë në zonën e Hamallajt dukej hapur. Familjarët e gjyqtarit janë shprehur se ai ditët e fundit dukej i lodhur nga gjyqet dhe paditë penale. Të dyja palët i janë kundërpërgjigjur njëra-tjetrës me kallëzime penale duke akuzuar për falsifikim dokumentesh me qëllim tjetërsimin e truallit. Krahas pronës prej 340 hektarësh të kthyer, gjyqtari 33-vjeçar kallëzoi edhe një mbivendosje prej 400 hektarësh pronë e familjes së tij. Ka dyshime se prona që i është kthyer trashëgimtarëve të familjes Shallvari, trashëgimtar i së cilës ka qenë babai i gjyqtarit Konomi, Fotaq Konomi, ka qenë e mbivendosur dhe u është dhënë disa personave të tjerë. Madje njëri prej zyrtarëve të AKKP-së ka firmosur për këtë pronë një ditë para se të largohej nga detyra, duke kryer mbivendosjen e saj. Për pasojë veç palëve, është paditur dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dega Durrës dhe ajo qendrore në Tiranë. Deri më tani, pista kryesore e vrasjes së gjyqtarit mbetet ajo e konfliktit të pronave.

Pjesë nga Vendimi i Gjykatës së Lartë

Sipas Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, edhe ligji 9235 datë 29.07.2004 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave”, i ndryshuar, nuk e lidh asnjëherë njohjen, kthimin apo kompensimin e pronës me faktin nëse pretenduesit ish-pronarë e kanë poseduar apo jo pronën. Është e pamundur që ish-pronarë të pronave me sipërfaqe të madhe të posedonin vetë pronën, kjo provon edhe njëherë faktin se konkluzioni i të paditurit është i gabuar. Mbi këtë arsyetim, trashëgimlënësit Sllava Ljubica Maria Lampo, Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mika, trashëgimtarët e Evdhoqes Goxhomani, Ariandhi Konomi, janë bashkëzotenues mbi objektin çifligu Rrushkull, i cili është i përcaktuar në objektin e padisë, pra kanë pasur një pronë e cila deri më 29.11.1944 nuk rezulton të jetë shitur apo tjetërsuar prej tyre. Ky fakt vërtetohet edhe nga nota e transkriptimit të Hipotekës Durrës, nr.126, datë 29.05.1946, ku prona e mësipërme, e cila ishte marrë në enfiteozë nga Shoqëria E.I.A.A, prej znj. Sllava Maria Ljubica Lampo, konfiskohet dhe kalon në favor të Shtetit Shqiptar. Në lidhje me faktin se pasuria në fjalë i është dhënë në enfiteozë një shoqërie italiane, në emër të së cilës është bërë dhe shpronësimi, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka konstatuar se është e vërtetë që nga ana e njërit prej bashkëzotënuesve (bashkëpronarëve), Maria Ljubica Shallvari, është lidhur një kontratë enfiteoze me Shoqërinë Italiane E.I.AA, por kjo kontratë nga vetë përmbajtja e saj rezulton të jetë nul, duke qenë se njërës prej palëve i ka munguar cilësia e pronares së ligjshme për të lidhur këtë kontratë. Sipas kësaj gjykate, përveç sa më sipër, kontrata e enfiteozës nuk është kontratë që ka për qëllim kalimin e pronësisë, por ajo ka për qëllim zhvillimin e pronës. Pronësia e sendit të paluajtshëm mbetet e enfiteozëdhënësit. Në nenin 1530 të Kodit Civil të vitit 1929 (i cili ka qenë në fuqi në kohën e lidhjes së kontratës së enfiteozës), parashikohet se: “Enfiteozi asht një kontratë, me të cilën i koncedohet një personi (enfiteozmarrësi), një pronë, me detyrimin që ta përmirësojë dhe të paguajë një prestim të përvitshëm, që quhet kanon dhe që caktohet në të holla ose drithna”. Neni 1532 po i Kodit Civil të vitit 1929 parashikon se: “Enfiteosi mund të lidhet vleftësisht vetëm prej atyne që kanë të drejtë tjetërsimi edhe me ato kondita dhe forma që lypen për tjetërsimin”. Pra, gjykata çmon se është tërësisht e provuar cilësia si pronar mbi sendin objekt kërkimi deri më 29.11.1944 i trashëgimlënësve të paditësave. Nga ana e të paditurit është argumentuar se pasuria e kërkuar është sekuestruar si pasuri e shtetasve italianë. Ky fakt, pra sekuestrimi i pasurisë objekt gjykimi si rezultat i zbatimit të këtij ligji, arsyeton gjykata, nuk dëshmon që sekuestrimi ka qenë i drejtë. Sipas gjykatës, Shoqëria Italiane E.I.A.A nuk ka qenë pronare e pronës Çifliku Rushkull dhe Çifliku i ri, por ka qenë vetëm enfiteozmarëse. Në nenin 2 të ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave”, i ndryshuar, cilësohet se: legjitimohen të kërkojnë kthimin apo kompensimin e pronës ish-pronarët që prona “iu është marrë sipas akteve ligjore dhe nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose marrë me çdo mënyrë tjetër të padrejtë nga shteti nga data 29.11.1944”. Pra, edhe sipas argumentit të përdorur nga i padituri, gjykata ka konstatuar se marrja e pronës në bazë të një ligji, të dalë pas datës 29.11.1944, nuk i pengon paditësat të kërkojnë pronën e tyre. Ka rezultuar për gjykatën se prona objekt kërkimi nuk është vetëm e shtetases italiane Maria Ljubica, por edhe e Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mika, trashëgimtarët e Evdhoqes Goxhomani, Ariadhni Konomi, të cilët e kanë fituar të drejtën e tyre të pronësisë që në vitin 1933. Në këto kushte ky ligj nuk i shtrin efektet mbi pronën e shtetasve shqiptarë të cituar më lart.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›