E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zonë e rëndësisë së veçantë”

28/04/2010 Burimi i Bogovës shpallet

BERAT- Me qëllim marrjen në mbrojtje në mënyrë permanente dhe nga organe të specializuara, së shpejti, burimi natyror i Bogovës në rrethin e Skraparit do të shpallet “Zonë e rëndësisë së veçantë”. Lajmin e kanë bërë të ditur dje burime të besueshme të prefekturës së Beratit. Sipas këtyre burimeve, pas kërkesave të vazhdueshme, që prefekti i këtij qarku Kostandin Lefta iu ka bërë pak javë më parë instancave qendrore të shtetit për këtë qellim, këto ditë ka mbërritur përgjigja pozitive e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Komunikacioneve, që aprovon kërkesën për shpalljen e “Zonës tampon” të burimit natyror të Bogovës, si “Zonë të rëndësisë së veçantë”. Por aktiviteti i nxjerrjes së gurit dekorativ mbetet një kërcënim për Basenin Ujëmbledhës, pasi jo vetëm shkakton ndotjen dhe turbullimin e ujit të pijshëm të burimit të Bogovës, por që rrezikon të shkaktojë edhe uljen e prurjeve të sasisë së ujit, deri dhe humbjen e këtij vendburimi natyror. Grupi i Task-Forcës konstatoi, se disa subjekte të penalizuara nga ky urdhër i vitit 2006, vazhdonin të ushtronin aktivitetin e tyre, në brendësi të “Zonës tampon” të burimit të Bogovës dhe se për këtë aktivitet të paligjshëm, Ndërmarrja e Ujësjellës sh.a. Berat, ishte e pafuqishme të penalizonte e frenonte aktivitetin e tyre. Pas shpalljes “Zonë e rëndësisë së veçantë” do të duhet që Këshilli i Ministrave të vendosë strukturën ushtarake dhe policore speciale, që do të ngarkohet me mbrojtjen e basenit ujëmbledhës të burimit të Bogovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›