Çështja çame është çështje që bashkon
Ndjekur nëpërmjet mediave, por edhe në kontakte konstante me individë, drejtues dhe deputetë të Partisë për Drejtësi dhe Integrim, kam ndjekur me interes zhvillimet e brendshme dhe jehonën e jashtme të zhvillimeve dhe fenomeneve brenda kësaj partie, por edhe në komunitetin e gjerë çam që mbështeti këtë parti dhe qëndron për një kohë të gjatë në pritje të vetëpërfaqësohet në jetën politike të këtij vendi, përfaqësim i cili iu ka bërë i mundshëm nëpërmjet individëve të veçantë të pozicionuar majtas apo djathtas në jetën politike të këtij vendi (kanë qenë jo pak dhe jo pak të suksesshëm), por që këtë herë pritet të bëhet i mundshëm në formën e qartë të përfaqësimit politik me mekanizëm partinë e tyre, PDI.
Shumëkujt i intereson ta quajë gjendjen kaotike, mosmarrëveshje çamësh që s’dijnë të menaxhojnë një situatë të tillë dhe ngelin pa ministri, mungesë kulture apo elementesh, por për një mendje që mendon dy herë para se të flasë, e kupton që të gjitha këto gatuhen e serviren të papjekura si prodhime, pasi argumentet flenë diku në një djep më thelbësor sesa këto gargara që në të shumtën e rasteve bluhen edhe nga vetë anëtarë të komunitetit çam në shenja proteste që nuk e shohin veten aty ku aspirojnë ta shohin ose i gënjen hija e tyre.
Argumenti bazë është që me lidhjen e një marrëveshjeje parazgjedhore asnjëra nga palët nuk ishte e bindur që PDI do të arrinte të merrte një ose dy mandate të mundshme, nuk kishte asnjë indikator serioz që të maste një fakt të tillë, përveç Kodit Elektoral, i cili favorizonte një formulë të tillë dhe që rezultoi në një mandat dhe rriskoi një mandat të dytë, ndërkohë që parti të tjera me potenciale ngelën pa përfaqësim ose u përfaqësuan me ndihmën e baballarëve të mëdhenj.
Një tjetër fakt kokëfortë është që PDI menaxhoi dobët fushatën në rrethet Durrës, Tiranë dhe Elbasan, ku potenciali i votave ishte i mundshëm për të bërë ndonjë surprizë të radhës, por rezultatet dolën goxha të varfra krahasuar me popullsinë çame të këtyre zonave.
Dehur nga kjo telebingo elektorale është e natyrshme që stuhia brenda kësaj gote uji me një degë ulliri brenda të tingëllojë pak e çuditshme në media, ku mikrofonat dhe kamerat drejtohen sa në një anë e në tjetrën, sikur kemi të bëjmë me ndonjë Forza Italia apo Pasok dhe harrohet që ajo me të cilën merren mediat është një parti që ka marrë vetëm 14 mijë vota dhe përbën vetëm 7 për qind të popullsisë çame në këtë vend.
Pa dashur të injoroj faktin që në këtë markatë të vështirë elektorale ku vota është bërë më e vështirë se kurrë në një demokraci që po konsolidohet, fati i përfaqësimit të PDI-së në Parlament është një event që ka lypur të trajtohej me kujdesin më të madh dhe koha në të cilën ndodh ky fenomen, është koha më optimale, pasi edhe një 4-vjeçar jashtë përfaqësimit është katastrofë për këtë çështje që i ka kaluar tashmë të gjitha time-bar-et e nevojshme për t’u revokuar dhe për t’u vënë në tavolinat e politikës, pasi për këtë çështje flasin shumë historianë, por shumë pak politikanë.
Por, akoma më optimale bëhet kur theksojmë faktin që nga harta politike e përfaqësimit parlamentar janë fshirë parti shumë më të mëdha dhe një parti si PDI ka shanset e një marketingu politik dhe hyn në fazën e ekspansionit pikërisht në këtë moment historik të konsolidimit të demokracisë në Shqipëri ku ideologjitë dhe iluzionet fillojnë të vyshken, por gjaku mbetet gjak.
ǒpo ndodh brenda PDI-së? Përse tani? Kujt i vret kostumi parlamentar apo qeveritar i PDI-së që ta veshë apo ta shohë veshur?
Marrë nga një logjikë e thjeshtë, duket si ata vëllezërit që janë vëllezër të mirë para se t’u vdesë babai, por kur marrin vesh që u ka lënë një pasuri të mirë, bëjnë gjithçka të theksojnë se sa në plan të parë kanë qenë ata për babain para se të vdiste dhe sa u takon më shumë. Kjo është po aq njerëzore sa ç’ka ndodhur dhe po ndodh edhe në gjirin e partive me demokraci të konsoliduar dhe shumë më të mëdha se PDI. Asgjë s’ka më humane sesa zilia për potencë, për pushtet, për mirëqenie dhe kujt i gënjen mendja se bërrylat shtyhen për një çështje të madhe në çdo parti do të thotë që kemi të bëjmë me ideologë mjeranë apo të gënjyer mjeranë. Por, PDI ka një specifikë dhe kjo specifikë do të përbëjë një themel të qëndrueshëm sido që të vijnë ujërat, pavarësisht se do ta ketë emrin PDI apo PDX. Kjo parti dhe shoqata që e shoqëron është ngritur mbi amanete konkrete prindërish, mbi vërshime gjaku dhe rrahje zemrash, të cilat kanë qenë potencial falas, të pandikuar nga asnjë ideologji apo aspiratë që të zhgënjen në fund të ditës, ka nisur nga intelektualë të nderuar me xhaketa dhe blloqe nën xhaketë ku ruanin fjalimet pa aspetativën më të vogël që mund të përfitonin diçka për të ndërruar atë astar të shqyer nga blloku brenda, nga bekime prindërish që para vdekjes amanetin e fundit e kishin: “Një degë ulliri nga Çamëria të ma mbjellësh tek varri” dhe po derivon në kontribute të biznesmenëve çamë që aksionet e tyre të ardhshme i shohin të materializuara tek kjo forcë politike, e cila seriozisht dhe shpirtërisht do të jetë pjesë gjenetike e DNA-së së këtij kombi.
Nuk i kanë munguar kurrë popullsisë çame, si dhe popullsisë shqiptare aktualisht, burra që janë bërë pjesë e lidhjes, por edhe monstra që janë bërë pjesë e përçarjes. Momente të tilla ndajnë burrat nga monstrat, por uroj që momente të tilla të kalojnë shpejt dhe elektorati dhe e gjithë popullsia çame, por edhe kosovare, dukatiote, fierake apo mbarë shqiptarët që kanë parë me simpati një forcë të tillë, të marrin frymë thellë dhe me respekt për këtë çështje që kërkon respekt!