Çfarë ndodh brenda Albafilmit?
Ky institucion, që më së shumti ka marrë rol administrativ dhe muzeor, nuk është pjesë e kronikave që lajmërojnë ngjarje. Rekuizita e pasuruar gjatë shumë viteve prodhimi filmik të diktaturës, ndonëse e pasur nuk është më një derë në të cilën regjisorët apo realizuesit e filmave trokasin shpesh. Megjithatë, drejtori i emëruar rreth një vit më parë, Fatmir Musaj, sjell një panoramë të asaj çka ndodh brenda këtij institucioni
Madhështia së jashtmi e godinave që dikur përbënin Kinostudion është në kontrast me qetësinë që i karakterizon. Jashtë e brenda korridoreve (atyre të mbetura në funksion shtetëror) lëviz një numër i paktë punëtorësh. E njëjta situatë është edhe tek Albafilm. Ky institucion, që më së shumti ka marrë rol administrativ (për territorin e dhënë me qira) dhe muzeor (ka trashëguar mjaft nga pasuria e ish-Kinostudios) nuk është pjesë e kronikave që lajmërojnë ngjarje. Rekuizita e pasuruar gjatë shumë viteve prodhimi filmik të diktaturës, ndonëse e pasur nuk është më një derë në të cilën regjisorët apo realizuesit e filmave trokasin shpesh. Megjithatë, drejtori i emëruar rreth një vit më parë, Fatmir Musaj, shprehet se gjatë kësaj kohe është punuar shumë. I referohet sistemimit dhe përzgjedhjes së rekuizitës, kontrollit fizik të fondit filmik, katalogimit të muzikës së filmit sipas kompozitorëve. Ndërsa rikonstruksioni i godinës, sipas tij jo për efekt funksional, por për ta kthyer në një vepër arti, do të jetë më i afërti në kohë.
Në ardhjen tuaj rreth një vit më parë në krye të këtij institucioni paraqitët një sërë projektesh. Cilat do të jenë prioritetet tuaja të 2010-s?
Ne vazhdojmë të punojmë për një sërë planesh që unë i kisha menduar që me emërimin tim e që kërkojnë kohë fizike të realizohen. Një nga çështjet parësore për këtë vit është rikonstruksioni i godinës, që besojmë se do të fillojë në pranverë. Ky rikonstruksion nuk parashikon kthimin e godinës në funksionale, sepse ajo e kryen këtë funksion, por shndërrimin e saj në një vepër arti. Kjo është një godinë nga të paktat e stilit rus të viteve ‘40 në Shqipëri, mbi të cilën nuk është vënë dorë asnjëherë. E mbajtur jo mirë, unë kam pasionin për ta bërë vepër arti të paktën nga ana fizike, figurative apo konceptuale. Duke qenë se në ambientet e Albafilm shtrihen një pjesë e mirë e mediave, ne mendojmë ngritjen e një qendre jashtë qendrës. Kemi folur me Institutin e Monumenteve për të bërë një projekt dhe mendojmë se do të gjejmë zgjidhje pas një diskutimi me një grup arkitektësh. Besoj se do të jetë diçka e bukur artistikisht.
Kjo, për sa i përket imazhit fizik të këtij institucioni. Po ana funksionale?
çdo gjë shkon në rregull. Janë sheshuar të gjitha mangësitë e trashëguara dhe kemi vënë në eficensë ambientet. Ndërkohë që kemi punuar mjaft me rekuizitën, e cila ishte në gjendje mjaft të keqe. Një sasi e madhe materiali, i cili u trashëgua nga ish-Kinostudio në një kohë që ajo e humbi funksionin e saj të mëparshëm, ishte futur ku të mundej. Na u desh një punë e madhe, që ende vazhdon për të risistemuar, për të bërë seleksionimin e atyre që ende mund të jenë funksionale dhe atyre që kanë dalë jashtë shërbimit.
Sa shfrytëzohet sot kjo rekuizitë nga regjisorët?
Sigurisht që nuk ka më përdorimin e dikurshëm, por shfrytëzohet. E rëndësishme është që unë e kam në dispozicion kur dikush troket. Kjo mund të ndodhë përditë, një herë në muaj apo një herë në vit, varet nga realizimi. Detyra ime është që ato të jenë aty kur dikush i kërkon.
Pas viteve ’90 është folur vazhdimisht për shpërdorim të rekuizitës, për veshje apo objekte të marra që nuk janë kthyer. Keni bërë një inventar tërësor?
Nuk kemi një inventar total, jemi në proces. është fakt që ka pasur shpërdorime, por nuk mund të etiketoj për qëllime të caktuara.
Ju trashëgoni edhe një fond filmik, përveç atij që ruhet në Arkivin Qendror të filmit. Në çfarë gjendje ruhet ai?
Ka më shumë se dy muaj që një inxhinier elektronik dhe operatori po kalojnë në maviolë të gjithë filmat për të parë kualitetin e tyre dhe ata që kanë nevojë për një pastrim. Në një fazë të mëvonshme mund t’i dixhitalizojmë, ndërkohë që mund të vihen edhe në funksion të transmetimeve televizive. Këta filma nostalgjikë kanë dhënë sadisfaksion për një brez të tërë dhe do të jetë kënaqësi të shihen sërish. Në të njëjtën kohë jemi duke u marrë edhe me muzikën e filmave, po bëjmë katalogimin sipas kompozitorëve. Njësoj po veprohet edhe me efektet zanore (zhurma të caktuara, thyerje peme, kërcitje), të cilat mund të shfrytëzohen nga kineastët.
Drejtori paraardhës kishte idenë e një muzeu. Vazhdoni ju t’i qëndroni kësaj ideje?
Këto janë projekte që nuk realizohen në një vit apo në mandatin e një drejtori, secili e çon sa të mundet. Kjo ide vazhdon, por unë nuk e kam primare. Gjithsesi nuk mendoj për një sallë të veçantë, por që të gjithë institucionin ta kthejmë në një qendër muzeore.
#