E Martë, 3 Nëntor 2026

PARIS – Macron i kërkon presidentit iranian uljen e tensioneve dhe përmbajtje maksimale

PARIS, 22 qershor /ATSH-AFP/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron foli sot me presidentin iranian, Masoud Pezeshkian dhe i bëri thirrje atij “të ulë tensionet, të ushtrojë përmbajtjen maksimale” për të “lejuar një kthim në rrugën diplomatike”, deklaroi ai në X.

“Dialogu, një angazhim i qartë nga Irani për të hequr dorë nga armët bërthamore ose ekziston rreziku i më të keqes për të gjithë rajonin. Kjo është e vetmja rrugë që çon në paqe dhe siguri për të gjithë”, theksoi Macron.

Macron u takua gjithashtu sot edhe me krerët e shteteve të Arabisë Saudite, Omanit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Katarit.

Në një mesazh nga ministri i saj i jashtëm, Jean-Noël Barrot, Franca shprehu “shqetësimin” e saj pas sulmeve amerikane, duke i kërkuar “palëve të ushtrojnë përmbajtje për të shmangur çdo përshkallëzim që mund të çojë në një zgjatje të konfliktit”.

Duke deklaruar se “nuk mori pjesë as në këto sulme dhe as në planifikimin e tyre”, Franca deklaroi se është “e bindur se një zgjidhje e qëndrueshme për këtë çështje kërkon një zgjidhje të negociuar brenda kuadrit të Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore”.

Për më tepër, Macron do të thërrasë sot një takim të Këshillit Kombëtar të Mbrojtjes dhe Sigurisë.

Franca “po bën gjithçka që është e mundur për të përshpejtuar largimin e shtetasve tanë që dëshirojnë ta bëjnë këtë nga Irani dhe Izraeli”, siguroi gjithashtu ai.

Shtetet e Bashkuara bombarduan tre vende zona bërthamore në Iran të dielën, duke iu bashkuar ofensivës së nisur nga Izraeli më 13 qershor.

Disa orë më vonë, Irani lëshoi ​​40 raketa drejt Izraelit dhe akuzoi Shtetet e Bashkuara se “minoi” shanset për një zgjidhje diplomatike të çështjes bërthamore./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›